Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, po merr pjesë në një takim të rëndësishëm të Këshillit të Evropës në Parlamentin e Letonisë në Riga, ku pritet të merret një vendim për votimin dhe emërimin e 2 avokatëve eminentë, përcjell InLajmi.
Ai bëri të ditur se do të bëhet një vlerësim për legjislacionin e Kosovës, i cili sipas tij, do të jetë një hap i rëndësishëm drejt rrugëtimit dhe anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Sipas tij, Kosova duhet të jetë prezente, të reflektojë dhe të prezantojë të vërtetën e vet për të qenë anëtare e Këshillit të Evropës.
Në fund, Tahiri theksoi se Kosova është gati për të qenë anëtare e Këshillit të Evropës.
Postimi i plotë i tij:
Mirëmëngjesi qytetarë të Republikës së Kosovës!
Po lajmërohem nga Parlamenti i shtetit të Letonisë në Riga, ku do të ndodhë një takim i rëndësishëm i Këshillit të Evropës. Do të ketë takim Komiteti i Përhershëm, i cili do të marrë një vendim me rëndësi të votimit dhe emërimit të 2 avokatëve eminentë. Do të bëjë një vlerësim për legjislacionin e Kosovës, si një hap i rëndësishëm drejt rrugëtimit tonë dhe anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Dua të falënderoj shumë miqtë tanë, shtetet mike që po bëjnë një punë të jashtëzakonshme. Po ashtu, është e rëndësishme që Kosova të jetë prezent, të reflektojë dhe të prezantojë të vërtetën e vet.
E vërteta jonë është që jemi gati për të qenë anëtar i Këshillit të Evropës dhe se legjislacioni jonë është shumë i avancuar në këtë temë. /InLajmi/