Pas raportimeve se një grup i qytetarëve serbë kanë bllokuar hyrjet para komunave Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan, Policia e Kosovës ka dalë me një njoftim, në të cilin ka theksuar se është duke e monitoruar situatën atje, përcjell InLajmi.
Zyrtarë nga Policia e Kosovës theksojnë se po ndërmarrin masat e nevojshme policore në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që paraqiten në vend.
Tutje në njoftimin e tyre bëhet e ditur se Policia e Kosovës është duke asistuar kryetarët e komunave veriore në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse.
Postimi i plotë i Policisë së Kosovës:
Angazhimet policore në mbarëvajtje të sigurisë

Prishtinë, më 26 maj 2023
Policia e Kosovës (PK), sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese po ndërmerr veprimet e saja policore në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që paraqiten në vend.
Sipas detyrës zyrtare, sot Policia e Kosovës është duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse. /InLajmi/