Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mosndërtimin e autostradës së Dukagjinit dhe bllokimin e projekteve të reja infrastrukturore, përcjell InLajmi.
Haradinaj rikujtoi që autostrada e Dukagjinit ishte vendosur të ndërtohej asokohe nga qeveria që ai udhëhiqte, por ishte Vetëvendosja që e kishte penguar me arsyetimin se “paratë nuk duhet të shfrytëzohen në asfalt”.
Kreu i AAK-së theksoi se rrugët në Mitrovicë, Gjilan, Pejë dhe Gjakovë kanë mbetur për “faqe të zezë”, krejt kjo si pasojë e neglizhencës nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Ai u shpreh i bindur se autostrada në Dukagjin do të ndërtohet, por kjo sipas tij, do të ndodhë kur qeveria Kurti të ikë nga pushteti.
Haradinaj theksoi se Kosova e ka mesataren e pagave më të ulët në rajon, pensionet më të ulta ndërsa shtoi se qeveritarët e rinj nuk po mjaftohen me kaq, pasi po i turren edhe mjeteve vetanake të komunave.
Postimi i plotë i tij:
Autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet, sapo të ikni ju nga pushteti
Kur ishte vendosur të merrte udhë projekti i autostradës së Dukagjinit si një investim strategjik, meqenëse do ta lidhte pothuaj 1/3 e territorit të Kosovës me pjesën tjetër, pati filluar një fushatë e egër e Vetëvendosjes kundër meje, me arsyetimin se nuk duhej të shpenzoheshin paratë në asfalt.
Autostrada e Dukagjinit nuk u ndërtua sepse Qeveria që udhëhiqja unë ishte ndërprerë në mes, kurse qeveria e Vetëvendosjes, jo vetëm që nuk hapi projekte të reja infrastrukturore, por i bllokoi edhe ato ekzistuese.
Sot kanë mbetur keq e për faqe të zezë, jo vetëm rruga për Mitrovicë, për Gjilan, për Pejë, për Gjakovë, por edhe projektet tjera infrastrukturore, duke i zbritur investimet kapitale në kuota qesharake.
Sikur kjo të bëhej me qëllim të rritjes së mirëqenies së popullit, në këto 2 vjet të një krize globale ekonomike, edhe do ta kishte një derë, por për fat të keq nuk ka ndodhur as kjo.
Sot, Kosova e ka mesataren e pagave më të ulët në rajon, pensionet më të ulta, paga minimale më e ulta në kontinent, ndërkohë që tatimi në pronë është rritur dy e trefish, energjia është rritur të paktën dy herë e të mos flasim për rritjen e çmimeve të artikujve elementarë, apo të inflacionit i cili ka qenë më i larti në këto 20 vjet.
Sikur të mos u mjaftonte kjo, qeveritarët e rinj u janë turrur edhe mjeteve vetanake të komunave dhe dojnë me i marrë edhe ato! Ose kanë fytyrë e deklarojnë se do të ketë harrnime e zgjerime dhe prapë lidhen të Autostrada e Dukagjinit dhe thojnë se ajo nuk do të ndërtohet.
E unë e kam një porosi për ta. Po, autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet, sapo ju të ikni nga pushteti. Shpresoj shumë shpejt! /InLajmi/