Producentja e serialit “Rrushe”, Doresa Rexha, ka reaguar pas bujës që mori titrimi i serialit nga Top Channel, pasi u cilësua si paragjykim për varietetet gjuhësore, përcjell InLajmi.
Rexha theksoi se arsyeja kryesore pse ka vendosur që të kenë titrim ka qenë ofrimi i mundësisë që serialin të mund ta përcjellin dhe ta shijojnë edhe personat që nuk mund të dëgjojnë.
Për më tepër, ajo thotë se seriali e ka ruajtur edhe origjinalitetin në disa raste, duke i ruajtur lokalizmat apo zhargonet ndërsa shton se ky titrim është bërë që dialogjet të kuptohen më lehtë nga e gjithë audienca shqiptare.
Sipas saj, diversiteti gjuhësor veç na pasuron më shumë si komb, nuk na ndan.
Postimi i plotë i saj:
Si producente dhe aktore në serialin “Rrushe”, fillimisht dua ta falënderoj gjithë audiencën shqiptare kudo në botë për vlerësimin e mirë që i ka bërë e po i bën serialit “Rrushe”, prodhim i GjirafaStudios! Kjo është shumë motivuese për mua dhe për ekipin që të vazhdojmë me planifikimin për realizimin e Sezonit të Dytë të serialit.
Duke parë debatet që ka ngjallur titrimi i serialit “Rrushe” në Top Channel, mund të them që arsyeja kryesore pse kemi vendosur të kemi titrim ka qenë ofrimi i mundësisë që serialin të mund ta përcjellin dhe ta shijojnë edhe personat që nuk mund të dëgjojnë apo personat me dëgjim të dëmtuar. Veç kësaj, ata që e kanë parë serialin, e kanë vërejtur që për hir të origjinalitetit, në serial, përveç gjuhës dialektore, përdoren edhe lokalizmat, zhargoni, “slang”-u, etj., që jo domosdo kuptohet nga të gjithë, prandaj është menduar që titrimi për transmetim në Top Channel të bëhet sa më afër gjuhës standarde, në mënyrë që çdo detaj i dialogjeve të kuptohet nga gjithë audienca shqiptare, siç është praktikë në shumë vende të botës me diversitet gjuhësor.
Unë besoj që diversiteti gjuhësor veç na pasuron më shumë si komb, nuk na ndan.
Uroj e shpresoj që së shpejti ta kemi Sezonin e Dytë të serialit “Rrushe” para publikut shqiptar, pse jo bashkëprodhim mes Kosovës dhe Shqipërisë!
Ndërsa Sezonin e Parë mund ta ndiqni çdo të martë nga ora 21:00 në Top Channel.
P.S Ju kërkoj ndjesë gjitha mediave të cilat më kanë kontaktuar këto ditë mirëpo për shkak angazhimeve e kam pasur të pamundur të paraqitem. /InLajmi/