Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, emëroi sot zëvendësministrin e ri të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviq, përcjell InLajmi.
Ministria për Komunitete dhe Kthim ka dalë me një komunikatë për medie pas emërimit të Radomiroviq, duke thënë se “për qytetarët e veriut të Kosovës, kjo do të jetë një fazë e re në pozicionimin e tyre në shoqërinë kosovare, si dhe një mundësi e re për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe afatgjatë”.
Zyrtarë nga kjo ministri theksojnë se plani i tyre është të ofrojë mbështetje të fuqishme për biznesmenët e vegjël, fermerët, shoqërinë civile dhe grupet e ndryshme formale dhe joformale, për hir të zhvillimit institucional dhe ekonomik.
Sipas tyre, vendimi i fundit i qeverisë për ndarjen e 3 milionë eurove për zhvillimin ekonomik, ishte vetëm fillimi i përkushtimit vendimtar të Qeverisë së Kosovës ndërsa theksojnë se ky do të jetë vetëm fillimi i një programi më të gjerë ekonomik që synon rritjen e punësimit, uljen e varfërisë dhe krijimin e kushteve stabile për zhvillimin e qëndrueshëm të të gjitha komuniteteve në Kosovë.
Tutje, zyrtarë nga Ministria për Komunitete dhe Kthim thonë se Radomiroviq do të angazhohet për këtë qëllim të përbashkët për fuqizimin ekonomik të biznesmenëve dhe fermerëve në veri të Kosovës. /InLajmi/