Grupi i të drejtave Walk Free thotë se deri në 50 milionë njerëz në mbarë botën po detyrohen të kryejnë punë të caktuara dhe të martohen me detyrim apo forcë, transmeton InLajmi.
Koreja e Veriut, Eritrea dhe Mauritania kanë shkallën më të lartë të skllavërisë moderne në botë, sipas Indeksit Global të Skllavërisë 2023.
Raporti i publikuar të mërkurën tha se rreth 50 milionë njerëz po “jetonin në situata të skllavërisë moderne” në vitin 2021, një rritje prej 10 milionë krahasuar me vitin 2016 kur problemi u mat për herë të fundit.

Shifra përfshin rreth 28 milionë njerëz në punë të detyruar dhe 22 milionë që jetojnë në një martesë të detyruar.
Situata po përkeqësohet “kundër një sfondi të konflikteve të armatosura në rritje dhe më komplekse, degradimit të gjerë mjedisor” dhe efekteve nga pandemia e koronavirusit, ndër faktorë të tjerë, tha studimi.
I përpiluar nga organizata bamirëse për të drejtat e njeriut Walk Free, raporti e përkufizon skllavërinë moderne si “punë të detyruar, martesë të detyruar ose servile, skllavërinë e borxhit, shfrytëzimin seksual të detyruar komercial, trafikimin e qenieve njerëzore, praktikat e ngjashme me skllavërinë dhe shitjen dhe shfrytëzimin e fëmijëve”.
Parimi kryesor i skllavërisë përfshin “heqjen sistematike të lirisë së një personi”- nga e drejta për të pranuar ose refuzuar punën në lirinë për të përcaktuar nëse, kur dhe me kë të martohet.
Sipas këtij raporti, Koreja e Veriut e izoluar dhe autoritare ka shkallën më të lartë të skllavërisë moderne (104.6 për 1000 banorë), sipas raportit.
Pasohet nga Eritrea dhe Mauritania, e cila në vitin 1981 u bë vendi i fundit në botë që e bëri të paligjshme skllavërinë e trashëguar, shkruan Aljazeera.
10 vendet me prevalencën më të lartë të skllavërisë moderne kanë disa karakteristika të përbashkëta, duke përfshirë “mbrojtje të kufizuara për liritë civile dhe të drejtat e njeriut”. /InLajmi/