Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se qeverisja në Gjakovë nga kryetari Ardian Gjini me ekipin e tij, e kanë ndryshuar pozicionin ekonomik të kësaj komune, përcjell InLajmi.
Haradinaj tha se në shënim të 23-vjetorit të themelimit të Aleancës në Gjakovë, pamë entuziazëm e gatishmëri si asnjëherë më parë për të vazhduar edhe më fuqishëm në interes të Gjakovës.
Vëmendja e Qeverisë së Kosovës tek qyteti i Gjakovës ka ndodhur në kohën sa unë isha kryeministër, shtoi ai.
Postimi i plotë i tij:
Vëmendja e Qeverisë së Kosovës tek qyteti i Gjakovës ka ndodhur në kohën sa unë isha kryeministër. Vetëm atëherë Komuna e Gjakovës dhe jo vetëm, ishte në qendër të agjendës së investimeve.
Qeverisja në Gjakovë nga Aleanca me kryetarin Ardian Gjini dhe ekipin e tij, kanë marrë vëmendjen e merituar në vend përmes qeverisjes së mirë, duke i ofruar qytetarëve të saj infrastrukturë dhe projekte zhvillimore të rëndësishme – investime që Gjakovës ia ndryshuan pozitivisht pozicionin ekonomik të saj.
Sot, në shënim të 23-vjetorit të themelimit të Aleancës në Gjakovë, pamë entuziazëm e gatishmëri si asnjëherë më parë për të vazhduar edhe më fuqishëm në interes të Gjakovës, të shtetit dhe të ardhmes sonë të përbashkët.
Urime Aleancë!/InLajmi/
















