Në Kosovë, migrimi i të rinjëve është kthyer në një trend shqetësues, çka edhe ka ndikuar që Kosova të mos shihet si “vend i mundësive” dhe perspektivës për të jetuar e punuar, shkruan InLajmi.
Së fundi, është vërejtur gjithashtu edhe rënia e numrit të nxënësve në shkollat e Kosovës, e që arsyet e këtij trendi shqetësues besohet të jenë faktorët ekonomik dhe social, ndër ta edhe migrimi, gjë që ka bërë që shifrat alarmante të braktisjes së shkollës nga nxënësit nga viti në vit “të normalizojnë” këtë fenomen negativ në vendin tonë.
Shifra alarmante sa i përket braktisjes së shkollës nga nxënësit jep Ministria e Arsimit, e cila në një përgjigje me shkrim për InLajmin, bën të ditur se në vitin shkollor 2021-2022, 730 nxënës i kanë braktisur bankat shkollore.
Shifra pothuajse të njëjta, Kosova ka pasur edhe në vitin shkollor 2020-2021, ku 797 nxënës kanë braktisur shkollat, çka edhe tregon se ky trend shqetësues nuk është i ri, por ka filluar vite më parë dhe po vazhdon edhe sot, duke kapur shifra alarmante.
“Sipas të dhënave të MASHTI, në vitin 2020-2021 e kanë braktisur shkollën 797 nxënës ndërsa në vit shkollor 2021-2022, 730 nxënës”, thuhet në përgjigjen e MASHT-it për InLajmin.
Ministria e Arsimit bën të ditur se ka themeluar ekipin për parandalimin e braktisjes së shkollës nga nxënësit ndërsa thekson se është funksionalizuar edhe moduli për sistemin e paralajmërimit të hershëm të braktisjes, i cili sipas Ministrisë, rrit premisat për punë më efikase për parandalim dhe reagim ndaj braktisjes së shkollës.
“Ministria ka themeluar ekipet për parandalim dhe reagim ndaj braktisjes. Kemi zhvilluar dhe është funksional moduli për sistemin e paralajmërimit të hershëm të braktisjes, i cili rrit premisat për punë më efikase në parandalim dhe reagim ndaj braktisjes së shkollës”, shpjegojnë nga MASHT-i.
Gjithashtu, zyrtarë nga MASHT-i thonë se janë duke mbajtur sesione në të gjitha komunat për ngritjen e kapacitetit të stafit të shkollave për identifikim dhe reagim të hershëm ndaj rasteve në rrezik të braktisjes.
“Gjithashtu, janë zhvilluar dhe përdoren doracakë për funksionimin e ekipeve në shkolla dhe komuna me instrumente të qarta për identifikim, trajtim dhe raportim të rasteve me rrezik të braktisjes. Janë mbajtur edhe sesione në të gjitha komunat dhe po punohet në vazhdimësi në ngritjen e kapaciteteve të stafit të shkollave për identifikim dhe reagim të hershëm ndaj rasteve në rrezik të braktisjes, duke punuar në parandalim”, thonë zyrtarë nga Ministria e Arsimit.
Megjithëse, një ndër faktorët kryesorë të zvogëlimit të numrit të nxënësve në shkolla mendohet të jetë migrimi, zyrtarë nga MASHT nuk përjashtojnë as faktorët e tjerë, si ekonomik dhe social.
“Nuk mund të themi se të gjitha rastet e braktisjes lidhen me migrimin. Sipas të dhënave të MASHTI, shkaqet e braktisjes së shkollimit ndikohen nga faktori ekonomik, ai social dhe faktori familjar”, thonë nga MASHT-i.
Problemin e braktisjes së shkollës, drejtor ekzekutiv i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, nuk e sheh si risi, por si fakt të anashkaluar të institucioneve.
“Rënia e numrit të nxënësve paraqet trend statistikor tashmë të parashikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, pra, nuk paraqet risi, por një fakt të anashkaluar nga institucionet. Si të tillë, investimet infrastrukturore, punësimet, e shumëçka tjetër janë në përputhje me trendin e numrit të nxënësve”, thotë Qehaja për InLajmin.
Qehaja paralajmëron se numri i nxënësve në 10 vitet e ardhshme, sipas projeksioneve të popullsisë, do vazhdojë të reduktohet, duke u zvogëluar në 5.000 mijë nxënës më pak, statistika që Qehaja i sheh si tregues të nivelit të lartë të problemit të braktisjes së shkollës nga nxënësit.
“Mirëpo, shqetësimi për këtë problem shkon përtej arsimit vetëm, projeksionet e popullsisë tregojnë që numrin i nxënësve në 10 vitet e ardhshme do te reduktohet tutje, dhe atë deri në 5.000 nxënës me pak, dhe atë nga varianti i mesëm i parashikimit të popullsisë. Këto statistika vetëm tregojnë për nivelin e vërtetë të problemit”, thotë Qehaja.
Sipas Qehajës, shkaqet kryesore të zvogëlimit të numrit të nxënësve në shkolla janë faktori demografik, më konkretisht rënia e natalitetit dhe emigrimi.
“Rënia është demografike, dhe si e tillë, arsyeja ka karakter demografik që shkon nga numri i në rënie i natalitet deri tek imigrimi. Kjo, kërkon reagim të strukturuar të politikave shtetërorë karshi numrit në rënie të popullsisë”, theksoi Qehaja për InLajmin.
Drejtori ekzekutiv i Institutit Edguard sugjeron që Kosova të sigurojë shkollim të mirëfilltë për të rinjtë, në mënyrë që ata të bëhen të shkathët për tregun e punës ndërsa shton se sistemi arsimor duhet të edukojë të rinjtë në vlera dhe bindje që promovojnë punën dhe jo gjithherë paranë.
“Vendi jonë duhet t’u sigurojë shkollim të mirëfilltë për të rinjtë në mënyrë që të njëjtit i bën të shkathët për treg të punës dhe aftë për të gjeneruar ekonomi për vendin. Në të njëjtën kohë sistemi arsimor duhet të edukojë të rinjtë për vlera dhe bindje që promovojnë punën dhe jo gjithherë paranë”, tha Qehaja.
Për situatën e vështirë me migrimin pak më herët foli edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila u bëri lutje qytetarëve të Kosovës, veçanërisht të rinjëve, që të mos braktisin Kosovën pas një janarit të vitit 2024. Për më tepër, ajo theksoi se Qeveria e Kosovës do të ndërmarrë masa për parandalimin e këtij fenomeni negativ në vendin tonë. Shqipe Vishaj /InLajmi/