Këtë të martë u mbajt takimi i parë i punës për hartimin e Strategjisë Shtetërore kundër Korrupsionit, i cili u hap nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, përcjell InLajmi.
‘’Ne duam etablim të shoqërisë që tregon zero tolerancë ndaj korrupsionit, zero tolerancë ndaj ryshfetit, e kontratave në këmbim të parave’’, ishte fjalia e parë që kryeministri Kurti vuri theksin për të veçuar më pastaj edhe Indeksin e Transparency International i cili sipas tij është tregues i mirë i suksesit të Qeverisë në luftimin e korrupsionit.
Para të pranishmëve në këtë ngjarje, kryeministri tha se rritja për 20 vende më lart në raport me praktikat e kaluara, dëshmon vullnet të një Qeverie të përgjegjshme për jetesë më të mirë për qytetarët.
“Mungesa e korrupsionit në Qeveri, përmirësimi në fushën e sundimit të ligjit, kanë ndikuar edhe në zhvillimin ekonomik. Qytetarët tanë kanë besuar këtë, gjë të cilën kanë dëshmuar me votimin masiv për ndryshime në zgjedhjet e fundit parlamentare”, u shpreh ai.
Këtë besim, shtoi më tej kryeministri, po e shndërrojmë në rezultate të cilat po tregojnë që zyrtari publik punon për publikun e jo për t’u pasuruar për vete apo për dikë tjetër privatisht, ndërkaq meritokracia, e drejta dhe rregullat e qarta e transparente bëhen parime bazë të punës së një administrate serioze, profesionale e llogaridhënëse.
“Korrupsioni, siç e dimë të gjithë, ka lënduar shoqërinë tonë për një kohë të gjatë, duke minuar institucionet demokratike besimin e qytetarëve, por edhe progresin tone si shtet”, deklaroi kryeministri, i cili tha se sot janë mbledhur për të përmbushur zotimin dhe përgjegjësinë që u është dhënë, për të hartuar Strategjinë Shtetërore kundër Korrupsionit, duke shtruar kështu rrugën drejt një shoqërie të çliruar nga korrupsioni.
Komisioni Ndërministror do të udhëhiqet nga Ministri Murati, e në përbërje të Ministres Rizvanolli, ministres Haxhiu e Ministrit Sveçla, të cilët do jenë në kontakt të vazhdueshëm me grupin punues e do prioritizojnë punën në hartimin e Strategjisë.
Në këtë takim, krahas përfaqësuesve të Qeverisë, të pranishëm ishin edhe e drejtues të Agjencive të ndryshme shtetërore dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile. /InLajmi/