Krerët opozitarë, Memli Krasniqi, Ramush Haradinaj dhe Lumir Abdixhiku janë takuar me ambasadorin Jeffrey Hovenier dhe senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Gary Peters, përcjell InLajmi.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i ka falënderuar senatorët për kontributin që ata kanë dhënë për Kosovën.
Ai thekson se senatorët do të vazhdojnë të ndihmojnë vendin tonë në rrugën drejt shtetndërtimit dhe integrimit euro-atlantik.
Sipas tij, për Kosovën, aleanca dhe miqësia me SHBA-të është e fuqishme dhe e përhershme.
Postimi i plotë i tij:
Mbrëmë, në rezidencën e ambasadorit Jeffrey Hovenier, në respekt të senatorëve amerikanë Chris Murphy dhe Gary Peters, patëm një darkë pune.
Kënaqësi të dëgjosh mezashe inkurajuese dhe mbështetëse nga 2 miq të Kosovës, të cilët, edhe sot, vazhdojnë të ndihmojnë vendin tonë në rrugën drejt shtetndërtimit dhe integrimit euro-atlantik.
Senatorët Murphy dhe Peters i falënderova për vizitën dhe kontributin e rëndësishëm, dhënë në periudha të ndryshme, për vendin dhe popullin tonë.
Për Kosovën, aleanca dhe miqësia me SHBA-të është e fuqishme dhe e përhershme! /InLajmi/