Zgjedhjet e 23 prillit krijuan një realitet të ri në qeverisjen lokale, kjo si rezultat i bojkotit të serbëve derisa mandatin për të qeverisur me katër komunat në veriun e Kosovës e morën kandidatët e partive shqiptare, Vetëvendosje e PDK, shkruan InLajmi.
Kjo fitore e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, nxiti reagime të shumta me këtë edhe paralajmërime se serbët e kësaj pjese nuk do i pranojnë kryetarët e rinj, ndërsa situata duket edhe më e nderë, pasi Erden Atiq të premten e 19 majit bëri betimin për udhëheqjen e komunës së Veriut të Mitrovicës nën masa të rrepta sigurie, nga Policia e Kosovës.
Para deklarimit në ndërtesën e komunës u vendos edhe flamuri i Republikës së Kosovës, ndërsa këto veprime u kritikuan ashpër nga Lista Serbe dhe të tjerë zyrtarë serbë, të cilët e quajtën represion dhe “okupim” të veriut.
Ndonëse gjatë ceremonisë së betimit nuk u shënua as edhe një incident, nuk mund të jemi të qetë aq sa të besojmë se kjo qetësi do të vazhdojë, sidomos pasi zyrtarët serbë nga Kosova dhe Serbia deklarativisht paralajmëruan se nuk do të rrijnë ”duarkryq” ndaj represionit që po ushtron kryeministri Albin Kurti ndaj komunitetit serb atje. Madje theksuan se shumë shpejt do të pasojë kundërpërgjigja serbe ndaj “pushtimit” të veriut nga Albin Kurti.
Madje nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, duke reaguar ndaj ngjarjeve në veri i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që deri më një qershor të ndalojë veprimet e represionit ndaj serbëve, përndryshe do të ketë kundërpërgjigje aktive.
Që pas përfundimit të zgjedhjeve të 23 Prillit në komunat veriore dhe betimit të Erden Atiq si kryetar i Mitrovicës së Veriut, ende mbetet e paqartë legjitimiteti politik i këtyre zgjedhjeve e siguria e kryetarëve të zgjedhur atje.
Se këto zgjedhje ishin legjitime e thotë edhe deputeti i PDK-së Hisen Berisha mirëpo sipas tij legjitimiteti politik është i diskutueshëm, për shkak të pjesëmarrjes se ulet të qytetarëve në votim.
“Këto zgjedhje që u mbajtën ishin legjitime, por legjitimiteti politik është i diskutueshëm, për shkak të pjesëmarrjes se ultë të votuesve në zgjedhje”, deklaroi Berisha për InLajmin
Mirëpo sipas Berishës, qeveria duhet të ofrojë siguri për kryetarët e zgjedhur edhe të jetë fleksibile për gjetje të një zgjidhjeje politike, me kusht që komuniteti serb të bëhet pjesë e jetës politike e institucionale, sipas Kushtetutës e ligjeve të Kosovës.
“Prandaj mendoj qeveria në ketë rast duhet të ofroj kapacitete të mjaftueshme sigurie, për kryetarët e rinj por, edhe të jet fleksibile për gjetje të një zgjidhjeje politike, me kusht që komuniteti serb të bëhet pjesë e jetës politike e institucionale, sipas Kushtetutës e ligjeve të Kosovës”, deklaroi Berisha për InLajmin.
Ndërsa sa i përket deklarimeve të Listës Serbe se do të ketë veprime ndaj “pushtimit” dhe represionit në veri, deputeti nga radhët e PDK-së tha se është një paralajmërim për qeverinë dhe organet e sigurisë se duhet t’i marrin masat e nevojshme për tu përballur me çdo sfidë.
“Ky po ashtu, është një paralajmërim për qeverinë dhe organet e sigurisë se duhet ti marrin masat e nevojshme për tu përballur me çdo sfidë, të shtohet presionin ndaj Serbisë dhe në kuadër të kësaj qeveria duhet të bëj lëvizje diplomatike me partnerët tanë ndërkombëtar”, deklaroi Berisha. /InLajmi/ Libona Gegaj