Situata në veri sa vjen e tensionohet që nga betimi i kryetarit të ri Erden Atiq që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, transmeton InLajmi.
Deputetja dhe koordinatorja e Ekipit Menaxhues për themelimin e Asociacionit Daniela Vujiçiq, ndërsa përmend inaugurimin e kryetarit të ri të Mitrovicës së veriut, arrestimin e një pensionisti dhe gjobitjen e një serbi për tabelat serbe, thotë se të gjitha këto veprime qartësojnë se kryeministri Albin Kurti nuk dëshiron të formojë Asociacionin.
“Kurti nuk dëshiron ta formoj Asociacionin, ose dëshiron, por të jetë një organizatë joqeveritare që do të ketë kompetenca pak më të mëdha. Pra duan ta formojnë asociacionin por pa kompetenca reale” u shpreh Vuçiq.
Kryeredaktori i portalit Kosovo-online, Milosh Gariq, duke iu referuar pretendimeve se Prishtina po përgatitet për pushtimin e veriut të Kosovës, ka deklaruar se institucionet e Prishtinës nuk kanë fuqi për të vepruar e kërcënuar pa mbështetjen e jashtme.
“Mbështetja kryesore e tyre vjen nga SHBA. E gjithë kjo do të thotë se Serbia ka arsye për të vazhduar me ngritjen e kapaciteteve ushtarake”, tha Gariq, ndërsa theksoi se të gjitha marrëveshjet e arritura janë shkelur.
Nga ana tjetër ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, thotë se situata në veri të Republikës së Kosovës është jashtëzakonisht e rëndë.
“Që nga viti i kaluar, kur kemi dorëzuar dorëheqjet dhe kemi dalë nga institucionet, asnjë problem nuk është zgjidhur. Madje ato rriten dhe përkeqësohen. Presioni nga institucionet e Kurtit po bëhet më i fortë, për këtë kemi paralajmëruar edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë”, u shpreh Radojeviq për Pink.
Për më tepër Radojeviq shprehet se pretendimeve të Prishtinës do i rezistojmë, ndërsa Lista Serbe nuk ka ndryshuar qëndrim dhe do të jetë në mbrojtje të interesave të popullit serb në Kosovë.
“Lista serbe mbetet me popullin e saj dhe nuk ka asnjë ndryshim. Të gjitha vendimet do t’i marrim bashkë me popullin. Emërimi i kryetarëve të rinj tregon synimet e vërteta të Prishtinës. Kryetari i ri erdhi për të bërë betimin me autoblinda dhe kjo thotë gjithçka”, tha Radojeviq. /InLajmi/