Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar masakrën e Burgut të Dubravës, përcjell InLajmi.
Haradinaj, duke kujtuar këtë ngjarje të dhimbshme, tha as Serbia kreu krim mizor në Bugrun e Dubravës, duke vrarë 130 të burgosur dhe duke plagosur 200 të tjerë.
Ai theksoi se masakra e Burgut të Dubravës shpërfaqi qartë mendësinë gjenocidale të shtetit serb, synimin për zhdukjen e shqiptarëve përmes spastrimit etnik përmes masakrave e dëbimit nga trojet e tyre.
Për më tepër, Haradinaj tha këto masakra janë mirë të dokumentuara ndërsa shteti serb edhe sot refuzon të pranojë të vërtetën dhe të përgjigjet për krimet e kryera.
Ndërsa kujton sakrificën e të gjithëve, Haradinaj tha sakrifica e të rënëve mbetet motivim për angazhim të gjithanshëm për ta dashur atdheun e për ta zhvilluar shtetin ashtu siç ëndërruan ata.
Postimi i plotë i tij:
Për disa ditë me radhë, nga 19 deri më 22 maj 1999, ndodhi një ndër masakrat më makabre që pushtuesi serb bëri ndaj shqiptarëve. Ato ditë maji të vitit 1999, shteti serb kreu krimin më mizor e të planifikuar, duke vrarë mbi 130 të burgosur shqiptarë dhe plagosur mbi 200 të tjerë, në burgun e Dubravës.
Masakra e Dubravës shpërfaqi qartë mendësinë gjenocidale të shtetit serb, ku si synim kryesor kishte zhdukjen e qenies shqiptare, përmes spastrimit etnik, masakrave kudo në Kosovë e dëbimin me dhunë të më shumë se të gjysmës së popullatës nga trojet e tyre.
Edhe pse këto masakra janë mirë të dokumentuara, ende askush nuk është përballur me drejtësinë. Shteti serb, edhe më tutje refuzon të pranojë të vërtetën dhe të përgjigjet për krimet e kryera, e ne nuk duhet të ndalemi në betejën tonë për zbardhjen e të vërtetës.
Liria dhe shteti që e kemi sot, janë rezultat i një çmimi shumë të lartë! Sakrifica e të rënëve mbetet motivim për angazhim të gjithanshëm për ta dashur atdheun e për ta zhvilluar shtetin ashtu siç ëndërruan ata. /InLajmi/