Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili është duke marrë pjesë në ceremoninë hapëse të ushtrimit më të madh ushtarak ndërkombëtar “Defender Europe ’23”, ka thënë se Kosova në këtë stërvitje renditet si vendi i 4 me më së shumti ushtarë pjesëmarrës.
“Në këtë stërvitje do të marrin pjesë ushtarë pjesëmarrës nga 25 shtete. Kosova, si vend pritës, ka marrë pjesë me 1300 ushtarakë dhe jemi vendi i 4 me më së shumti ushtarë që marrin pjesë në këtë stërvitje”, ka thënë Mehaj.
Mehaj tregoi që përgatitjet për mbajtjen e këtij ushtrimi ushtarak kanë nisur që 1 vit e gjysmë.
Ai theksoi se ngritjen e kapaciteteve do ta bëjnë gjithmonë sipas standardeve të NATO-s, pasi, sipas tij, synimi i Kosovës është të bëhet pjesë e saj, shkruan rtk
“Ushtria e Kosovës, me intervenime e me operacione ndërkombëtare, ka dëshmuar se jemi partner i besueshëm për aleatët tanë”, ka shtuar ai.