Në ditën e 2-të të punimeve të sesionit pranveror të Asamblesë së Parlamentare të NATO-s, delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesuar nga deputeti Driton Hyseni, ka vazhduar takimet bilaterale me delegacionet e vendeve anëtare të NATO-s, siç ishin takimet me delegacionin e Kanadasë, SHBA-së, Danimarkës, Gjermanisë, Sllovakisë si dhe me delegacionet e Holandës e Finlandës.
Sipas njoftimit nga Kuvendi, temat e diskutimit përfshinin kërkim-mbështetjen e Kosovës në proceset e përfshirjes sa më të madhe të delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në AP të NATO-s, si dhe në institucionet e organizatat tjera ndërkombëtare.
“Gjithashtu, në sesionin e Komisionit për Politikë, Hyseni ngriti çështjen e përfshirjes në mënyrë specifike të Kosovës në raportin e z. Audronius AZUBALIS ‘E ardhmja e politikës së dyerve të hapura të NATO-s’, ku përfshihen vendet tjera të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftim, shkruan RTK.
Pas diskutimit të kryetarit të delegacionit të Kuvendit të Kosovës, raportuesi e pranoi se do të bëjë përfshirjen e Kosovës në raportin e këtij viti.