Sekretari organizativ i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka thënë se kryetarët e komunave nga radhët e PDK-së, të cilët kanë fituar në Zveçan dhe Zubin Potok, po përballen me presion dhe nënçmim nga zyrtarë dhe segmente të Qeverisë, veçanërisht nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, përcjell InLajmi.
Gjoshi thotë se të 2 komunat kanë thirrur seancat solemne për dhënien e betimit, por Ministria e Pushtetit Lokal dhe zyrtarë të kësaj ministrie, kanë ushtruar vazhdimisht presion për ndërrimin e datës dhe lokacionit për mbajtjen e seancave.
Sipas Gjoshit, këto veprime të zyrtarëve nuk janë të bazuara në asnjë arsye legjitime, përveç se janë tendencë për nënvlerësuar dhe dekurajuar kryetarët e zgjedhur.
Ai i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të krijojë kushtet e nevojshme që të mbahet seanca solemne e betimit të këtyre kryetarëve.
Postimi i plotë i tij:
Ka disa ditë që dy Kryetarët e Komunave nga radhët e PDK-së, të cilët kanë fituar në Zveçan dhe në Zubin Potok, po përballen me presion dhe nënçmim nga zyrtarë e segmente të Qeverisë, posaçërisht nga MAPL.
Të dy komunat kanë thirrur seancat solemne për dhënien e betimit, por, Ministri i Pushtetit Lokal dhe zyrtarë të kësaj ministrie, kanë ushtruar vazhdimisht presion për ndërrimin të datës dhe lokacionit për mbajtjen e seancave.
Këto veprime të këtyre zyrtarve nuk janë të bazuara në asnjë arsye legjitime, të cilën, ne do ta respektonim pa asnjë problem. Madje, as shkresë zyrtare në lidhje me këto kërkesa nuk kemi pasur. Prandaj, i gjithë ky teatër, është një tendencë për nënvlerësuar dhe dekurajuar Kryetarët tanë, të zgjedhur në këto dy komuna.
I bëjmë thirrje Qeverisë që të krijojë kushtet e nevojshme, sa më parë, për mbajtjen e seancave solemne. Mbi të gjitha, kërkojmë urgjentisht që ky presion, krejt i panevojshëm dhe jashtë çdo norme etike, të ndalet menjëherë.
Dy Kryetarët nga radhët e PDK-së, të votuar për të udhëhequr komunat e Zveçanit dhe Zubin Potokut, janë të përkushtuar për të punuar në të mirë qytetarëve, pa dallim. Prandaj, çdo komunikim me ta, i ftojmë Qeverinë që ta bëjnë zyrtarisht dhe bashkëpunimi, sipas ligjit, nuk do të mungojë asnjëherë. /InLajmi/