Kritika për Kosovën dhe Serbinë, për moszbatim të marrëveshjeve të arritura, kanë ardhur të shtunën nga emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ai mori pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të Malit të Zi ndërsa komentoi moszbatimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.
“Më duhet të them se asnjëra s’po zbaton marrëveshjen, dhe më duhet të them që ne duhet të ecim përpara me të gjitha elementet përfshirë dhe specifikisht Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ne po presim versionin e Kosovës për statutin e Asociacionit, e kjo duhet të bëhet tash”, tha Escobar.
Tutje, ai tha se është përgjegjësi kryesore e Kosovës që të ecë përpara në themelimin e Asociacionit, shkruan RTK.
“Jo të gjitha duhet bërë, por është përgjegjësi kryesore e Kosovës që të ecë përpara me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Çka duam ne si SHBA që është statuti për Asociacionin do të duhej kryer e të bëhet sa më parë. Po shpresoj që kjo të kryhet së shpejti”, tha Escobar.