Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i ka reaguar ministrit të Financave, Hekuran Murati, pasi ky i fundit tha se “LDK e ka dërguar në Kushtetuese Ligjin për Çmimet Tavan, ligj me të cilin do të rregulloheshin çmimet e disa produkteve”, përcjell InLajmi.
Bajrami derisa ia përmend “dështimet” e udhëheqjes së Muratit, kërkon edhe dorëheqjen e tij, duke i thënë “le minister shko në shtëpi se kjo punë nuk është për ty”, ndërsa ia rikujton edhe një shprehje të popullit se “asgjë nuk shkon me zor”.
Për më tepër, Bajrami i shtron edhe një pyetje Muratit, duke i thënë “Pse je kaq patetik?” ndërsa shton se LDK do të jetë gjithmonë në mbrojtje të Kushtetutës.
Tutje, ajo me ironi thotë “Fajet i ka LDK-ja pse Martin Berishaj përpos me diplomaci merret kapak edhe me shit-blerjen e energjisë. Fajet i ka LDK-ja pse kryeshefi i KEK-ut ndodhet në paraburgim. Fajet i ka LDK-ja që s’ka asnjë njohje të shtetit të Kosovës”
Postimi i plotë i saj:
Ju shkoj mandati me vaj në buzë
Duhesh me qënë tepër i dështuar, kur je në pozitën e ministrit të financave, në vitin e tretë të mandatit dhe i takon një qeverie që i ka të gjitha nivelet e pushtetit e krejt çka ke me thënë është se “LDK-ja s’po me len me punu”.
Le ministër, shko në shpi se kjo nuk është punë për ty – populli thotë nuk shkon me zor.
Viti i tretë i mandatit:
asnjë politikë fiskale,
asnjë reformë strukturore,
asnjë arritje,
asnjë listë e publikuar e përfituesëve,
investimet kapitale me të ultat në dekadën e fundit,
skandale, korrupcion e nepotizëm gjithandej dhe
”fajet LDK-ja”.
Pse je kaq patetik minister?
LDK-ja ka me qënë në mbrojtje të kushtetutës gjithmonë.
Rënia e çmimit të derivateve dhe vajit ushqimor nuk është bërë me ligj, pikërisht tregu i lirë/konkurrenca e ka bërë këtë.
Ju s’keni qënë në gjendje të ndermerrni asgjë, andaj edhe në atë që ke thënë brenda disa rreshtave je kundëthënës edhe vetën.
Dhe një këshillë të sinqert: mos hartoni/votoni ligje antikushtetuese sepse prapë do të përfundojnë në Gjykatë Kushtetuese, prej tani po të tregoj që Ligji për Fondin Sovran është i tillë për shkak të nenit 65 të tij, andaj mos thuaj nesër “LDK-ja i ka fajet”, sepse ne nuk ndjehemi në faj kur jemi në mbrojtje të Kushtetutës.
P.S.
”Fajet i ka LDK-ja pse Martin Berishaj përpos me diplomaci merret kapak edhe me shit-blerjen e energjisë. Fajet i ka LDK-ja pse kryeshefi i KEK-ut ndodhet në paraburgim. Fajet i ka LDK-ja që s’ka asnjë njohje të shtetit të Kosovës”. /InLajmi/