Ish- i burgosuri politik dhe njëherit edhe një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nait Hasani thotë se nëse Qeveria Kurti pranon krijimin e një autonomie serbe në Kosovë, atëherë kjo është gjendje e mjerueshme.
Hasani potencoi se nëse ndodhë një gjë e tillë, Qeveria Kurti duhet të rrëzohet.
“Nëse Qeveria pajtohet për krijimin e një autonomie dhe lejon të bëhet një gjë e tillë, atëherë ajo është një dobësi e Qeverisë, një gjendje e mjerueshme. Ajo Qeveri në Kosovë që krijon një autonmi për serbët, ajo Qeveri duhet të shkojë në shtëpi dhe një autonomi e serbëve nuk do të lejohet në asnjë formë në Kosovë”, thotë Hasani.
“Rrethanat kanë ndryshuar, presionet janë më të mëdha ndaj Kosovës por nuk na detyrojnë neve të pajtohemi, ata kërkojnë nga Qeveria e Kosovës t’i bind qytetarët që të pajtohen. Prandaj, lufta jonë ka qenë që mos të pajtohemi që të kemi një Serbi brenda Kosovës, sepse atëherë nuk do të kemi Kosovë dhe kjo Kosovë është e pavlerë nëse do të ketë një autonomi brenda”, shtoi Hasani.
Hasani sygjeron që pala kosovare të dëgjojë SHBA-të në lidhje me Asociacionin, shkruan GazetaBlic.
“Varësisht prej marrëveshjes, ne kemi aleatë amerikanët që ne besojmë tek ta. Amerikanët që kanë qenë pjesë e marrëveshjes së 2013-tës e 2015-tës, janë edhe sot. Pra, nëse ne jemi aleatë me Amerikën, atëherë neve na duhet që t’i dëgjojmë miqtë tanë sepse janë mbështetësitë tanë, janë edhe çlirimtarët tanë. Ne jemi baza kryesore e çlirimit, bashkë me ndihmën e tyre”, thotë Hasani.




















