Ish-kryenegociatori në dialogun Kosovë – Serbi, Avni Arifi, gjersa ka folur për nenin 7 të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve për 2 vendet, i propozuar nga Bashkimi Evropian, ka thënë se Vetëmenaxhimi është më i rrezikshëm sesa ka ekzistuar nga marrëveshjet e mëparshme.
Marrëveshja ka gjithsej 11 nene, ndërsa, neni 7 kërkon nga Kosova dhe Serbia që të angazhohen “për të siguruar një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”.
“Normalisht Vetmenaxhimin e shoh më të rrezikshëm sesa që ka ekzistuar, sepse përderisa në marrëveshjet e mëparshme ekzistonin disa kontura sesi mund të zhvillohej Asociacioni, ndërsa, këtu nuk ka kontura. Qeveria nuk është përgjegjëse për krijimin e Asociacionit por e bënë përgjegjëse për kualitetin e saj”, ka deklaruar Arifi në TV Dukagjini
Ai ka thënë se në kohën kur është miratuar nga Parlamenti i Kosovës, Asociacioni ka qenë marrëveshja dhe atëherë është kundërshtuar nga opozita sepse kanë besuar që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, dhe “doli pastaj vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Qysh atëherë është ditur se do të ketë një Asociacion, mirëpo ai nuk do të ketë kompetenca ekzekutive”.