Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të enjten ka zhvilluar bisedë telefonike me Këshilltarin Lartë në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Derek Chollet, me të cilin diskutuan për marrdhëniet bilaterale, situatën në rajon dhe Kosovën, transmeton InLajmi.
“Vuçiq dhe Chollet, vlerësuan se marrëdhëniet serbo-amerikane janë duke u zhvilluar në një drejtim të mirë, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik, gjë që dëshmohet nga rritja e shkëmbimeve tregtare”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidnetit të Serbisë.
Tutje theksohet në komunikatën zyrtare se presidenti Vuçiq e ka njoftuar diplomatit amerikan se nga e sot është realizuar fluturimi i parë në vijën ajrore Beogradit-Çikago, bashkëpunim ky i Air Serbia që do të forcojë edhe më shumë lidhjet serbo-amerikane.
“Të 2 zyrtarët kanë biseduar edhe për situatën në Kosovë. Cholet tha se është e nevojshme të shmangen provokimet dhe konfliktet, si dhe se është e rëndësishme të vazhdohet puna për normalizimin përmes dialogut në Bruksel” , citon komunikata.
Nga ana tjetër presidenti Vuçiq ka thënë se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj politikës së paqes dhe bashkëpunimit në rajon.
Kujtojmë se edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar bisedë telefonike me Këshilltarin e Lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ku përveq bashkëpunimit dhe situates politike në rajon kanë diskutuar edhe për normalizimin e marrdhënieve me Serbinë përmes dialogut në Bruksel./InLajmi/