Të paktën 9 persona kanë vdekur në rajonin verior të Italisë Emilia Romagna, pasi shirat e dendur përmbytën lagje të tëra dhe toka bujqësore, transmeton InLajmi.
Reshjet që goditën rrafshnaltat e rajonit gjatë 2 ditëve kanë bërë që gati 2 duzina lumenjsh të dalin nga shtrati, duke vënë nën ujë zona të mëdha territori dhe duke shkaktuar evakuimin e mijëra banorëve.
Në Forli aty pranë, në juglindje të kryeqytetit rajonal të Bolonjës, kryebashkiaku Gian Luca Zattini tha se qyteti i tij ishte “në gjunjë, i shkatërruar”.
“Është fundi i botës,” tha Zattini.
Autoritetet rajonale konfirmuan 9 të vdekur, me shumicën në zonën përreth Forli dhe Cesena.
Një nga rajonet më të pasura të Italisë, Emilia Romagna ishte goditur tashmë nga shi i dendur 2 javë më parë, duke shkaktuar përmbytje që lanë 2 të vdekur, shkruan RTE.
Përmbytje kanë ndodhur në 41 komuna, ndërsa një numër edhe më i madh raportohet për rrëshqitje dheu. /InLajmi/