Rreziqet me të cilat është duke u përballur veriu i Kosovës, janë serioze.
Kështu e vlerëson situatën në këtë pjesë të vendit, ish-kryeinspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani.
Ramadani që njëherësh ishte zv/ministër i Mbrojtjes thotë se sundimi i ligjit në veri të Kosovës është i zbehtë.
“Rreziqet e sigurisë në veri janë serioze. Veriu është i destabilizuar. Shqetësimet për mundësitë e përshkallëzimit të gjendjes së sigurisë janë shqetësime legjitime. Sundimi i ligjit në pjesën e komunave në veri të Kosovës është i zbehur deri në nivel të ekzistimit të njëlloj kërkese që “atje të paktën të mbahet stabiliteti i sigurisë”! Kjo kërkesë, sikurse është e përditshme, në thellësinë e saj është edhe e padrejtë, edhe e pamundshme”, tha ai
Ramadani thotë se stabiliteti në veri është i pamundshëm për shkak të ndërhyrjeve të vazhdueshme nga Serbia.
Ish-zv/ministri i Mbrojtjes konsideron se veprimet kriminale të Serbisë për ndërhyrje në veriun e vendit kanë për qëllim paralizimin e proceseve demokratike, shkruan FrontOnline

“Kërkesa që veriu vetëm të mbajë stabilitetin e sigurisë është e pamundshme për shkak të ndërhyrjes direkte, të vazhdueshme, kriminale dhe politike të Serbisë, me qëllimin e paralizimit të proceseve demokratike. Derisa kjo ndërhyrje e Serbisë dhe Rusisë nuk ndalet, mbajtja e stabilitetit të sigurisë mbetet e sfiduar thellësisht”, thotë ai