“Pas pandemisë, tani janë bërë dukuri rastet e fajdeve, të cilat ishin vetëm raste të veprave penale dhe kjo është një nga veprat penale më të shpeshta që hasim tani, edhe kur pasojat e tyre janë shumë drastike qoftë për individët, qoftë për personat juridikë që po përballen me fenomenin e fajdes”.
Kështu ka deklaruar, avokati Ylli Zekaj, i cili ka thënë se faktikisht personat që merren me këtë vepër penale apo kryesit e këtyre veprave penale po e shfrytëzojnë gjendjen e rëndë ekonomike të personave të caktuar që po detyrohen pastaj të marrin “fajde” për të bërë zgjidhje të mundshme, qoftë për nevoja personale, qoftë për nevoja biznesore, që po hyjnë edhe në këtë vurbullin e këtyre personave që merren me fajde.
“Pastaj ka dukuri shqetësuese po arrin deri në krime të rënda, që ka pasur edhe vetëvrasje nga marrësit e fajdeve”, ka deklaruar ai
Po ashtu, ai ka deklaruar se për persona të caktuar që merren me këtë dukuri, “është profesion”, pasi kanë në dorë një sasi parash të fituara në mënyra të ndryshme dhe i përdorin me persona në gjendje të vështirë ekonomike, shkruan RTV Duakgjini
“Pastaj të njëjtit e shfrytëzojnë gjendjen ekonomike të personave të caktuar, kinse për t’i nxjerrë nga situata e rëndë ekonomike, duke u ofruar para me norma të mëdha të interesit, që pastaj shumëfishohen me kalimin e javëve apo muajve. Dhe për pasojë e moskthimit të këtyre mjeteve, pastaj vjen edhe deri te marrja e pasurive të ndryshme, qoftë në vlerësimet tepër te ulëta të veturave apo diçka tjetër”, është shprehur ai.