Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka përkujtuar atdhetarin Ukshin Hoti në 24-vjetorin e zhdukjes së tij, për të cilin tha se fati i tij mbetet ende i pazbardhur, përcjell InLajmi
E para e shtetit, tha se Hoti në rrethana ende të pandriçuara është rrëmbyer me dhunë, teksa sipas saj, përpjekja për të zbardhur fatin e tij nuk është ndalur asnjëherë.
Deklarata e plotë e Presidentes së Kosovës:
Prej 24 vjetësh, fati i atdhetarit e intelektualit Ukshin Hoti mbetet i pazbardhur, teksa emri i tij vazhdon të mbetet në listën e të zhdukurve me dhunë nga regjimi gjenocidal i Serbisë.
Më 16 maj të vitit 1999, pas lirimit nga Burgu i Dubravës, në rrethana ende të pandriçuara ai është rrëmbyer me dhunë, teksa përpjekja për të zbardhur fatin e tij nuk është ndalur asnjëherë.
Besniku i idesë së Republikës është referencë e jona e vazhdueshme për angazhimin kombëtar. Ukshin Hoti është njeriu që mendimin politik dhe aktivitetin politik i bëri bashkë në dobi të mirë të përmbushjes së idesë për Kosovën shtet.
Sot e kujtojmë me respekt si simbol i Republikës, lirisë dhe demokracisë!
Këto parime na udhëheqin në rrugëtimin e fuqizimit të shtetit, ndërsa angazhimi ynë për zbardhjen e fatit të tij nuk do të ndalet asnjëherë. /InLajmi/