Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë se dyshon në epilogun e procesit të dialogut, me kryeministrin Kurti pas Marrëveshjes së Ohrit sepse sipas tij pika e 7 e kësaj marrëveshjeje “e fut Kosovën në labirinthe me më shumë të panjohura se sa 2013-ta dhe 2015-ta”.
Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Driton Selmanaj, ka thënë se procesi i dialogut është transferuar si mundësi për të bërë politikë të brendshme.
I ftuar në emisionin ”Debat Plus”, në RTV Dukagjini. ku po diskutohet për takimin në mes të kryenegociatorëve në Bruksel dhe mesazhet nga atje, Selmanaj ka thënë se dyshon në epilogun e procesit të dialogut, me kryeministrin Kurti pas marrëveshjes së Ohrit sepse sipas tij pika e 7 e kësaj marrëveshjeje “e fut Kosovën në labirinthe me më shumë të panjohura se sa 2013-ta dhe 2015-ta”.
“E keqja ka ndodhur sidomos rreth viteve 2014-2015 kur disa parti politike në Kosovë sidomos LVV, procesi i dialogut me Serbinë është transferuar si mundësi për të bërë politikë të brendshme me njëri-tjetrin. Nga viti 2014 e tutje u pa si temë goxha atraktive për ta mundur njëri-tjetrin, për ta shpallur dikë patriot e dikë tradhtar në fakt e përshtatshme dhe atraktive për garën e brendshme politike por e dëmshme për pozicionin e Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas Selmanajt, veprimet politike dhe produktet që po i nxjerr nga dialogu kryeministri i vendit, Albin Kurti, sipas deputetit janë më të dëmshme se sa qeveritë paraprake që kanë bërë.
“Veprimet e këqija të këtij kryeministri në veri të Kosovës kanë sjellë situatën ku ne tani jemi në situatën e menaxhimit të krizave që i ka shkaktuar në veri dhe jo si rezultat i një marrëveshje përfundimtare për të cilën ne së paku me Bashkësinë Ndërkombëtare kemi diskutuar në tavolinat tona”.
Ai thotë se ka 2 elemente të këtij kryeministri dhe kësaj qasje të Qeverisë, “e para është padituria e skajshme dhe qëllimet e mbrapshta, dhe kur këto të 2-ja bëhen bashkë produkti është tragjik për vendin”.