Mbi 3 .6 milion shqiptarë do të votojnë sot për të zgjedhur kryebashkiakët e 61 bashkive të vendit, për të cilat konkurrojnë 144 kandidatë, përfshirë 2 të pavarur.
Sot do të votohet edhe për 61 Këshillat bashkiakë, ku konkurrojnë 40 parti dhe koalicione.
Ndërsa për 1603 pozicionet e anëtarit të parlamenteve vendore, janë regjistruar rreth 23 mijë e 700 kandidatë, përfshirë 10 të pavarur.
5213 qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19:00.
Fushata përgjithësisht kaloi e qetë dhe pa tensione, por në ditët e fudnit të saj u regjistruan incidente të vogla, si arrestimi i kandidatit për kryebashkiak të Himarës Fredi Beleri , i cili akuzohet për korrupsion në zgjedhje.
Po kështu një ditë më parë është goditur edhe kandidati socialist për bashkinë e kolonjës Erion Isai.
Në këto zgjedhje opozita pritet të kthehet në institucionet e pushtetit vendor pas katër vjet mungese për shkak të bojkotit në zgjedhjet e vitit 2019. Gjatë kësaj periudhe socialistët drejtuan gjithë bashkitë e vendit, përveç Shkodrës, shkruan A2CNN.
Në tre bashki sot do të ketë votim elektronik në Elbasan, Kamëz dhe Vorë dhe rezultati pritet të dalë vetëm pak minuta pas përfundimit të orarit zyrtar të zgjedhjeve. Zgjedhje lokale më parë në të vendin tonë janë zhvilluar në vitet 1992, 1996, 2001, 2003, 2007, 2011, 2015 dhe 2019.