Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar masakrën e Korishës së Prizrenit dhe fshatrave përreth, percjell InLajmi.
Haradinaj ka kujtuar edhe të rënët në Katund të Ri dhe Fushë Pejës, si dhe zhdukjen e familjes atdhetare Prelvukaj.
Haradinaj ka kujtuar edhe heroizimin e familjes Meha në Prekaz, në 41-vjetorin e rënies së Tahir e Nebih Mehës.
Postimi i plotë i tij:
Liria jonë në themel i ka heronjtë e kombit, martirët, gjithë ata që janë flijuar për liri ndër breza.
Kujtojmë sot dhjetëra civilë të pafajshëm të vrarë në masakrën e Korishës së Prizrenit dhe fshatrave përreth, ku pushtuesit nuk kursyen as 14 fëmijë të kësaj anë.
Kujtojmë të rënët në Katund të Ri dhe Fushë të Pejës. Kujtojmë rënien por dhe humbjen pa gjurmë të anëtarëve të familjes atdhetare Prelvukaj. Bashkëndjejmë me secilën familje që u nda me dhunë nga të dashurit e tyre!
Gjithashtu, në 41-vjetorin e rënies, kujtojmë heroizmin e familjes Meha në Prekaz. Me nder e respekt, përulemi para trimërisë së Tahir e Nebih Mehës, që ranë në përballje të pabarabartë me qindra forca jugosllave. Emrat e tyre u përjetësuan në historinë tonë, ndërkaq vepra e tyre shërbeu ndër breza si frymëzim për ta realizuar endrrën shekullore për liri, e cila u bë realitet nga trimat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Lavdi e përjetshme!
(Foto nga arkivi) /InLajmi/