Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, vlerëson se partia e tij ka dyfishim të trupit të vet elektoral, e me tendencë të rritjes së mëtutjeshme, përcjell InLajmi
Haradinaj ka thënë se mobilizimi në diasporë, organizimet e brendshme dhe qeverisja në 5 komuna, i kanë dhënë rezultatet e veta.
Më tej ai tha se aleati i vetëm i qytetarëve është partia që ai udhëheq.
Postimi i plotë i tij:
Të dashur qytetarë, anëtarë e simpatizantë të AAK-së!
Ju jam mirënjohës për mbështetjen që keni treguar gjatë gjithë kohës për qëndrimet tona shtetformuese e vizionin për paprekshmërinë e shtetit.
Është evidente që Aleanca, po kthehet në adresë politike për shumë nga ju. Organizimet e brendshme, mobilizimi në diasporë, qeverisja me duar të pastra e Aleancës në 5 komuna të rëndësishme të vendit si dhe kursi ynë politik në mbrojtje të interesave të shtetit e të qytetarit, tashmë po i japin rezultatet e veta. Sipas sondazheve kredibile Aleanca qysh sot ka dyfishim të trupit të vet elektoral, e me tendencë të rritjes së mëtutjeshme.
Kjo rritje eksponenciale e Aleancës duket që nuk po u pëlqen kundërshtarëve politikë, prandaj veç po paralajmërohet lufta e radhës me sondazhe.
Aleanca do të vazhdojë me konsistencë dhe e palëkundur në kursin e vet politik dhe asnjëherë nuk do të bëjë kalkulime për kurrfarë interesash të ngushta e afatshkurtëra. Aleati i vetëm i yni do të jeni ju, qytetarët e Kosovës, dhe prandaj për asnjë çmim nuk do t’i bëjmë lak kësaj rruge!
Aleanca është me Ju! /InLajmi/