5511 punonjës policie do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore në vendin tonë në 14 maj, ditën e zgjedhjeve vendore.
Policia e Shtetit njofton masat e marra për mbarëvajtjen e procesit të votimit dhe të numërimit në 5211 qendra votimi, 92 KZAZ dhe 92 VNV.
57 objekte të rëndësishme në këtë provës do të merren në mbrojtje, me angazhimin e 192 punonjësve të policisë nga forcat “Komando”.
Në deklaratën për shtyp, Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike në DPPSH, Rebani Jaupi, njoftoi se po hetohen disa raste që lidhen me dyshime për shit-blerje të votës, por nuk dha më shumë detaje për shkak të konfidencialitetit të hetimeve.
“Gjithashtu, strukturat e Policisë në Has, Kavajë, Patos, Kukës dhe Durrës, në bashkëpunim me prokuroritë respektive, kanë trajtuar dhe aktualisht kanë në hetim, denoncime nga subjekte të ndryshme, për çështje që lidhen me procesin zgjedhor”, shtoi ai.
Masa janë ndërmarrë edhe për mbarëvajtjen e punës për vëzhguesit afatgjatë të OSBE/ODIHR, të cilët kanë akses që të monitorojnë zbatimin e masave të ndërmarra në kuadër të procesit zgjedhor, shkruan Top Channel
“Masat shtesë të ndërmarra në kuadër të këtij procesi zgjedhor, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë ditës së votimit, garantimin dhe promovimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe subjekteve që marrin pjesë në këtë proces, si dhe për ruajtjen e objekteve dhe materialeve që do t’i shërbejnë këtij procesi, do të zbatohen duke filluar nga sot deri në përfundim të procesit zgjedhor”, deklaroi Jaupi.