Bashkimi Evropian ka reaguar në lidhje me shpronësimet që po bëhen në komunat veriore të Kosovës.
Përmes një reagimi dërguar mediave nga Shërbimi Evropian i Politikës së Jashtme (EEAS), thuhet se BE-ja ka shqyrtuar vendimin preliminar të Qeverisë për shpronësimin e tokës për interes publik në komunat Leposaviq dhe Zubin Potok.
“Çdo shpronësim është i ndjeshëm për nga natyra, prandaj procedurat ligjore parashikojnë hapa të tillë si njoftimi paraprak dhe informacioni gjithëpërfshirës i pronarëve të pronave, e drejta e tyre për të paraqitur komente mbi shpronësimin e kërkuar, mundësia e një mjeti të përshtatshëm juridik dhe kompensimi adekuat i tyre para se procesit të përfundojë”.
“Ndërtimi i 4 bazave të Policisë së Kosovës në tokë private dhe shoqërore në disa raste para fillimit të procedurave të shpronësimit ngre shqetësime për të drejtat pronësore në veri të Kosovës dhe duhet të adresohet në mënyrë adekuate nga autoritetet”, thuhet në reagimin e EEAS, transmeton Klan Kosova.
BE-ja kështu ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës “që t’i përmbahen rreptësisht procedurave ligjore” në shpronësimin e pronës së paluajtshme, të bëjnë të pamundurën për të siguruar që të ndiqet procesi i rregullt dhe se të drejtat pronësore të pronarëve dhe bartësve të interesit të prekur duhet të respektohen plotësisht.