Analisti politik, Albinot Maloku e ka quajtur të pakuptimtë deklaratën e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak se vendimi për hapjen e urës së Ibrit duhet të merret me pajtimin e të 2-ja palëve.
Maloku në emisionin”Ditari në Tëvë1 ka theksuar se lidhja e çdo situate me dialogun është “pjesë e fajit tonë”.
“Vizita e Lajçakut tek ura, e cila është simbol i ndarjes së Mitrovicës, ku ai thotë se nuk mund të hapet për qarkullim pa qenë pjesë e dialogut është non-sens. Kjo pasi në çdo situatë që po krijohet, dialogu është ajo pjesë e çdo angazhimi/ aktiviteti. Kjo është pjesë edhe e fajit tonë”, ka deklaruar Maloku.
Më tej ai ka shtuar se Lajçak është duke bërë deklarata të shpejta të cilat po shkojnë në favor të palës tjetër (Serbisë).
“Angazhimin e këshilltarëve komunale duhet me parë me simpati, pasi është në vullnetin e tyre më të pastër dhe më të sinqertë që të ndodh diçka që është krejtësisht normale, që në territorin e Republikës së Kosovës mos të këtë barriera të tipit të ngjashëm, siç është rasti me urën dhe të tjerat që kanë qenë më parë. Për faktin që çdo gjë është duke u lidhur me çështjen e dialogut dhe për faktin që kemi një lehtësues që maksimalisht bënë kësi lloje reagime të shpejta, ndaj çdo veprimi krejtësisht demokratike, legal dhe legjitim të Kosovës. Dhe në anën tjetër kjo shkon qorrazi në reagimet e saj për palën tjetër (Serbisë)”, është shprehur Maloku.
Ndryshe, Lajçak gjatë vizitës në Mitrovicë të Veriut ka thënë se vendimi për hapjen e urës duhet të merret me dialog.
“Ura e Mitrovicës ka qenë pjesë e dialogut, prandaj unë mendon që vendimi për hapjen duhet të merret në dialog. Gjithçka është në dorën e 2 palëve. Unë dua që hapja e urës të jetë kontribut për stabilitet”, ka thënë ai.
Diplomati evropian ka thënë se të 2 palët duhet të pajtohem për hapjen e kësaj ure.