Analisti, Albinot Maloku, thotë se draft-statuti i propozuar nga Ekipi Menaxhues për themelimin e Asociacionit nuk duhet të ishte pikënisje në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Maloku tha se gabimet e para të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti kanë qenë që nuk e ka përcjellur punën e këtij ekipi qysh kur ka ardhur në pushtet.
“Pikënisje nuk duhet të ishte në asnjë mënyrë, gabimet kanë qenë të kryeministrit që nuk e ka përcjellë punën në krye të herës kur ka ardhur në krye të qeverisë, mirëpo nisur nga yryshi i tij që është kundër Asociacionit e pastaj kundër dialogut, e që pastaj doli që të 2-ja janë si prioritete, dhe si pasojë e presionit dhe ndikimit gjithsesi”, tha ai në emisionin “Ditari”.
Sipas tij, BE do ta imponojë një dokument përfundimtar, i cili do të konsiderohet statut i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Bashkimi Evropian konsideroj që në fund të fundit do ta imponojë një dokument, siç e ka në traditën e vetë, mirëpo varet prej kreativitetit dhe vendosshmërisë së palëve në raport me pranimin ose mospranimin e një dokumenti përfundimtar që mund të konsiderohet statut i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Maloku.
Ai ceku se gabimi tjetër i Qeverisë ka qenë moskontrollimi i Grupit Menaxhues për draft-statutin, shkruan Tëvë1.
“Gabimi thelbësor ka qenë që nuk është kontrolluar Grupi Menaxhues, nuk është kërkuar informacion paraprakisht nga Qeveria e Kosovës dhe para se të shkonte ky Ekip Menaxhues në Bruksel do të duhet të konsiderohej i devalvuar. Vizioni nuk është kundërpeshë e draft-statutit të propozuar nga Ekipi Menaxhues”, shtoi ai.