Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur mike të madhe të Kosovës administratoren e USAID-, Samantha Power, e cila që nga e enjta ka qëndruar në Kosovë, përcjell InLajmi.
Kurti tha se gjatë takimeve në kryeministri është diskutuar rreth sigurisë energjetike dhe zhvillim të qëndrueshëm dhe ngjarjet e fundit në vend.
Ai tha se së bashku me ministren Rizvanolli kanë lansuar ankandin e parë të energjisë solare me kapacitet prej 100megavat.
USAID, tani është dora e partnerit të besueshëm në rrugën e pavarësimit nga lëndët fosile, dhe drejt energjisë së pastër, përfundoi kryeministri i Kosovës.
Postimi i plotë i tij:
Sot ishim mikpritës të një mike të madhe të Kosovës, administratores së USAID, Samantha Power.
Gjatë drekës së punës dhe takimit në kryeministri folëm për sigurinë energjetike, tranzicionin energjetik dhe zhvillim të qëndrueshëm, por edhe për zhvillimet e fundit në vend, për qeverisjen, themelimin e Fondit Sovran e për Marrëveshjen Bazike arritur në Bruksel, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Nga fjalët në vepra, së bashku me të dhe me ministren Rizvanolli lansuam ankandin e parë të energjisë solare me kapacitet prej 100 megavat, duke çliruar potencialin energjetik të vendit tonë.
Të gjithë e kemi parasysh logon e USAID. Dora që na ndihmoi që të ngritemi nga rrënojat e luftës më shumë se 2 dekada më parë, USAID, tani është dora e partnerit të besueshëm në rrugën e pavarësimit nga lëndët fosile, dhe drejt energjisë së pastër./InLajmi/