Më 30 shtator të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës miratoi propozim-vendimin për regjistrimin e popullsisë në Kosovë. Me këtë vendim synohet të rregullohet mënyra e organizimit të procesit të regjistrimit të popullsisë, përcaktohen kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve që e organizojnë, ndihmojnë dhe zbatojnë regjistrimin, dokumentimin, përpunimin, ruajtjen, publikimin e të dhënave dhe masat administrative, shkruan InLajmi.
Regjistrimi i popullsisë fillon këtë vit
Agjencia e Statistikave të Kosovës, e cila është përgjegjëse për regjistrimin e popullsisë në Kosovë, në një deklaratë për InLajmin bën të ditur se regjistrimi i popullsisë do të fillojë nga një shtatori deri më 16 tetor të këtij viti, proces ky që do të zgjasë plotësisht 6 javë.
“Regjistrimi i popullsisë pritet të fillojë në shtator të vitit 2023 dhe do të zgjasë nga një shtatori deri më 16 tetor”, thuhet në përgjigjen me shkrim të ASK-së dërguar për InLajmin.
Procesi i regjistrimit nuk është aspak i lehtë ku përveç organizimit teknik, ky proces ka edhe kosto financiare për çka edhe ndahen mjete të veçanta nga buxheti i shtetit.
Sipas zyrtarëve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, bëhet e ditur se për procesin e regjistrimit të popullsisë janë ndarë 10 milionë euro.
Zyrtarët e ASK-së theksojnë se kjo vlerë monetare është përllogaritur se i mbulon mjaftueshëm shpenzimet për regjistrimin e popullsisë, ndërsa shprehen se tashmë janë bërë përgatitjet e duhura për të mundësuar realizimin e suksesshëm të këtij procesi.
“Janë ndarë 10 milionë euro për këtë vit që pritet të mbulojnë shpenzimet e nevojshme. Në aspektin teknik janë bërë përgatitjet e duhura, si formularët, udhëzuesit, aplikacioni, piloti, testimet dhe specifikat tjera”, thuhet në përgjigjen zyrtare të ASK-së.
Regjistrimi i popullsisë orienton politikbërjen
Agjencia e Statistikave të Kosovës vlerëson se regjistrimi i popullsisë do të ndikojë në paraqitjen e gjendjes socio-ekonomike në nivelin më të ulët të mundshëm dhe do të riorientojë me qartë politikbërjen, planet dhe strategjitë.
“Do të paraqesë gjendjen socio-ekonomike në nivelin më të ulët të mundshëm që do riorientojë më qartë politikbërjen, planet dhe strategjitë”, thuhet nga zyrtarët e ASK-së.
Rikujtojmë se regjistrimi i fundit i popullsisë është bërë në fund të vitit 2021. Nga ky proces, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, llogaritet të jetë rreth 1.8 milionë banorë. Shqipe Vishaj /InLajmi/