Më 28 prill, Kuvendi Komunal i Komunës së Mitrovicës doli me një propozim për lirimin e Urës së Ibrit, propozim ky që çoi pluhur jo vetëm në Kosovë dhe Serbi, por edhe te akterët ndërkombëtarë, të cilët vlerësuan se hapja e kësaj ure mund të bëhet vetëm me dialog politik, shkruan InLajmi.
Propozimi i asamblistes së Komunës së Mitrovicës së Veriut, Aida Ferati-Doli, gjeti mbështetje nga Qeveria e Kosovës, e cila argumentoi se paragrafi i parë i nenit 35 të Kushtetutës së Kosovës garanton lëvizjen e lirë të qytetarëve në të gjitha vendbanimet e Kosovës, prandaj vendimi për heqjen e pengesave të tilla u vlerësua si i drejtë dhe i nevojshëm.
Situatën ndryshe nga zyrtarët e Kosovës e panë përfaqësuesit ndërkombëtarë, të cilët e cilësuan si vendim jo të duhur hapjen e Urës së Ibrit. Njëri nga ta është edhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili tha se atmosfera në Mitrovicë nuk është e duhur për hapjen e Urës së Ibrit dhe se kjo çështje duhet zgjidhur me dialog.
“Unë jam përkrahës i fortë i vendimeve të pajtuara, zgjidhjeve që janë pajtuar. Besoj që gjithçka që përfshin të 2 palët duhet të merret vesh po nga të 2 palët. Ura e Mitrovicës ka qenë pjesë e dialogut prandaj unë mendoj që vendimi për hapjen duhet të zgjidhet me dialog. Gjithçka është në dorën e të 2 palëve. Ata duhet të merren vesh por unë dua që hapja e urës të jetë kontribut për stabilitet të madh e jo për destabilitet të madh. Kjo është shumë e rëndësishme. Prandaj po e përsëris gjithmonë që dialogu duhet të përdoret si platformë për marrëveshje”, tha ai.
Reagime pati edhe nga politikanët serbë. Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës theksoi se ky vendim “shkel marrëveshjet e Brukselit dhe kërcënon drejtpërdrejt paqen” ndërkaq presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, reagoi duke thënë se se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dëshiron “të largojë serbët” nga Kosova, duke shtuar se udhëheqësi kosovar po nxit konflikt me çdo kusht.
Gjithashtu edhe kryenegociatori serb për dialogun Kosovë – Serbi në Bruksel, Petar Petkoviq, e ka cilësuar propozimin për lirimin e Urës së Ibrit si hap për të nxitur konflikt në veri të Kosovës, ndërsa ka kërkuar nga ndërkombëtarët që të “frenojnë” kryeministrin Albin Kurtin, që të mos ndërmarrë veprime të tilla, që sipas tij janë të njëanshme.
Lidhur me këtë vendim, reagime pati edhe nga KFOR-i, të cilët konsideruan se rihapja e urës është një çështje që duhet të zgjidhet vetëm me dialog politik ndërsa theksuan se do të vazhdojnë të monitorojnë situatën në veri.
Drejtuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljani, gjithashtu deklaroi se puna e tyre ka mbaruar me procesin e votimit të kërkesës dhe se tashmë çështja e hapjes së Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve i mbetet Ministrisë së Punëve të Brendshme, asaj të Pushtetit Lokal dhe misioneve paqeruajtëse ndërkombëtare, KFOR-it e EULEX-it.
Çështja e Urës së Ibrit ishte aktuale për disa ditë deri në momentin kur kërkesa u dërgua në institucione, por këtë iniciativë duket se e zbehu deklarata e emisarit të BE-së dhe me gjasë do të mbetet në sirtarët e këtyre ministrive dhe misioneve paqeruajtëse deri në zgjidhjen e kësaj çështjeje me dialog. /InLajmi/