Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka kërkuar që të ftohet në interpelancë ministri i Financave, Hekuran Murati, raporton InLajmi.
Tahiri tha se Qeveria e Kosovës po ndërhyn në shpenzimet buxhetore dhe po bllokon ivestimet kapitale.
“Ndërhyrja e Qeverisë në strukturën e të hyrave dhe të shpenzimeve buxhetore ka qenë shumë e dëmshme në rrjedhat e zhvillimit në vend duke i ngritur normat e tatimit në njërën anë, e në anën tjetër duke i bllokuar investimet kapitale. Vetëm për 2 vjet qeverisje janë bllokuar rreth 500 milionë euro të investimeve kapitale, me çka është dëmtuar ekonomia e vendit për rreth 200 milionë euro si pasojë e inflacionit dhe vonesës se investimeve kapitale”.
Tutje, ai theksoi se rritja e pagave në sektorin publik do të lehtësonte sado pak gjendjen e vështirë që e ka përfshirë Kosovën ndërsa shton se nëse nuk ndodh menjëherë atëherë Kosova mund të zbrazet.
“Rritja e pagave në sektorin publik do të ishte zgjidhje që do të lehtësonte sado pak këtë situatë, pasi kjo është kërkesë e kohës. Kjo rritje do të duhej të ndodhte menjëherë me rishikimin buxhetor dhe kjo do të ndikonte në rritjen e konsumit të përgjithshëm por edhe indirekt në rritjen e pagave në sektorin privat. Nëse ky veprim nuk ndodh menjëherë, Kosova rrezikon të zbrazet dhe të mbesë pa shumë profesionistë të zotë”, u shpreh Tahiri.
/InLajmi/