Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti një delegacion të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë, përcjell InLajmi
Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë është shoqatë e ambasadorëve amerikanë me gjithsej 200 anëtarë, të cilët së bashku kanë shërbyer për mbi gjashtë dekada dhe për njëmbëdhjetë presidentë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Marrëdhëniet Kosovë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës shtrihen në sferën historike, ekonomike, të sigurisë dhe të mbrojtjes. Para ambasadorëve dhe mysafirëve të tyre, kryeministri Kurti tha se SHBA-ja është partner, mik dhe aleat kyç i Kosovës. Ai i njoftoi ata për progresin ekonomik dhe demokratik të vendit si dhe për bashkëpunimin në rritje ndërmjet 2 vendeve, duke veçuar këtu marrëveshjen prej 236.7 milionë dollarë me MCC-në të nënshkruar në vitin e kaluar dhe strehimin e refugjatëve afganë në Kosovë.
Më tej, gjatë bashkëbisedimit, Kurti po ashtu veçoi 4 fushat të cilat janë trajtuar me prioritet në buxhetin e vitit 2023: mbrojta, edukimi, bujqësia dhe shëndetësia, teksa iu përgjigj interesimit të ambasadorëve për to.
Ambasadorët e përgëzuan kryeministrin dhe Kosovën për arritjet. Në mesin e tyre, ish-ambasadori amerikan Thomas Riley tha se i vjen shumë mirë që qeveria jo vetëm që po përpiqet, por edhe po ka sukses. /InLajmi/




















