Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti këtë të mërkurë në takim Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë, të kryesuar nga Timothy Chorba, kryetar i Këshillit, përcjell InLajmi.
Konjufca theksoi se takime të kësaj natyre janë mundësi e mirë për të qëndruar më afër njëri-tjetrit dhe për të trajtuar tema që janë me interes vital për rajonin.
Ai u shpreh mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen jetike dhe kujdesin e vazhdueshëm për Kosovën.
Postimi i plotë i tij:
Sot mirëprita në Kuvendin e Republikës së Kosovës Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë, të kryesuar nga Presidenti i këtij Këshilli, Ambasadori Timothy A. Chorba.
Falënderova diplomatët për kontributin e tyre dhe të shtetit mik amerikan në mbështetje të vazhdueshme të Republikës së Kosovës, si dhe shprehëm gatishmërinë e dyanshme për thellimin e bashkëpunimit.
Kosova është projekti më i rëndësishëm i faktorit ndërkombëtar, i cili rezultoi me ndaljen e gjenocidit të Serbisë dhe trasoi rrugën drejt pavarësisë. Republika e Kosovës sot është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe Evropë.
Takimet e kësaj natyre na mbajnë më afër njëri-tjetrit dhe po ashtu janë mundësi e mirë për të trajtuar tema me interes vital.
Përherë mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen jetike dhe kujdesin e vazhdueshëm. /InLajmi/