Qeveritarët po vazhdojnë t’u dalin në mbrojte dy personave që tashmë po dyshohen për afera korruptive.
Bëhet fjalë për ambasadorin Martin Berishaj, dhe kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqin.
Lidhur me këtë mbrojtje që pushtetarët po ia bëjnë Berishajt e Krasniqit, ka folur deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.
Ajo, ka deklaruar se Qeveria dhe Lëvizja Vetëvendosje e ka një hall të madh që po e mbron ambasadorin Berishaj.
“Qeveria dhe LVV-ja me partnerët e vet duhet ta kenë një hall të madh që dalin në mbrojte, në mënyrë të sinkronizuar të ambasadorit Berishaj i cili tashmë po hetohet për disa shkelje penal siç janë: deklarim i rrejshëm i pasurisë, evazion fiskal dhe deklarim të rrejshëm nën betim. Të gjitha këto janë fakte, nuk janë konstrukt as i opozitës as i mediave, janë rreth 4 milionë euro transaksione të cilat as vetë z. Berishaj nuk i ka kontestuar”, është shprehur Bajrami,
Ndërsa, sa i përket rastit të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, Bajrami ka deklaruar se sulmet që po i bëhen institucioneve të drejtësisë nga eksponentë të Qeverisë, mund të cilësohen si ndërhyrje në drejtësi.
“Sa i përket drejtorit nën arrest të KEK-ut, tani ai gjendet nën mbajtje, andaj denigrimi dhe sulmi i institucioneve të drejtësisë nga eksponentë të Qeverisë sigurisht që mund të cilësohet si ndërhyrje në drejtësi”, ka thënë deputetja Bajrami.
Sipas saj, KEK-u ka arritur të realizojë fitim vetëm për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
“KEK-u ka realizuar fitim vetëm për faktin se është rritë çmimi i energjisë elektrike. Qeveria para se të tregoj sa ka pas fitim KEK-u duhet të na tregoj sa i ka kushtuar Kosovës energjia e importuar në vitin 2022. Sikur të kishte prodhuar KEK-u mjaftueshëm sigurisht që buxhetit të vendit do t’i kurseheshin qindra miliona euro. Përpos akuzave nga Prokuroria, drejtori i KEK-ut është përgjegjës edhe për importin e energjisë nga kompani të palicensuara dhe gjobën e ZRRE-së në shumë prej 3.2 milionë euro”, ka shtuar ajo.




















