Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili thotë se Qeveria po bën “reforma” eksperimentale në drejtësi,përcjell InLajmi
Kica-Xhelili thotë se një pjesë e madhe e prokurorëve janë të emëruar gjatë kësaj qeverie, duke shtuar se kjo nuk ka të bëjë me pavarësim të sistemit të drejtësisë.
Sipas saj e gjithë “reforma” ka të bëj me përfshirje të individëve të zgjedhur e votuar nga kjo shumicë parlamentare si anëtarë të KPK, që të sigurojnë se përfillen instruksionet e Qeverisë në drejtësi.
Ajo shtoi se kjo po shkon të bëhet edhe më keq edhe pse ka shpresuar që nuk do të bëhet.
Postimi i plotë i saj:
“Reforma” eksperimentale në drejtësi
Në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) janë 13 anëtarë. Ministria e Drejtësisë (MD), me projektligjin për KPK të cilin e rrëzoi Gjykata Kushtetuese, përcaktonte ta reduktojë numrin në 7.
Tani nga MD thonë që planifikojnë të jenë 19 ose 21 anëtarë. Rreth 180 prokurorë krejt Kosova, një pjesë e madhe e emëruar gjatë kësaj qeverie, e rreth 20 anëtarë – më shumë se kudo në rajon – t’i ketë KPK-ja – 10% të totalit të numrit të krejt prokurorëve.
E kam thënë më herët dhe po e them prap: Kjo nuk ka të bëj me pavarësim të sistemit të drejtësisë. Kjo ka të bëj me përfshirje të individëve të zgjedhur e votuar nga kjo shumicë parlamentare si anëtarë të KPK, që të sigurojnë se përfillen instruksionet e Qeverisë në drejtësi.
Me këtë sistem prokurorial kaq të ndjeshëm, kaq të ngathët, e me kaq mosbesim publik, kam menduar që nuk ka si bëhet më keq në një vend demokratik. E paskam pasur gabim. /InLajmi/