Si “reagim politik” e si “përgjigje e Kosovës” është cilësuar deklarata e kryeparlamentarit Konjufca nga ana e analistit Astrit Gashi.
I ftuar në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Gashi ka deklaruar se deklarata e Konjufcës është një mesazh dërguar ndërmjetësve të dialogut Kosovë-Serbi në raport me draft-statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“Sa i përket deklaratës së Konjufcës, mendoj që përpos se ai i ka këto mendime mbi draft-propozimin e Asociacionit, mendoj që është edhe si një mesazh që po u dërgohet ndërmjetësve në raport me qëndrimet e Kosovës për draftin e këtij dokumenti që u dërgua…pra refuzimi i jashtëzakonshëm që po bëhet nga Konjufca është më shumë si një tentim për të deligjitimuar..se Kosova para së gjithash një draft është e vërtetë se e ka çuar një institucion i formuar nga Qeveria e Kosovës, por një draft që e kalon çdo formë reale të cilësdo marrëveshje”, ka deklaruar Gashi, gjersa ka theksuar se “Ky reagim direkt kundërshtues i Konjufcës është politik dhe përgjigje e Kosovës që në njëfarë forme nuk po bëhet nga kryeministri i Kosovës, por nga personi i 2-të në raport me qëndrimet e BE-së që ai draft është legjitim dhe do ta marrim si pikënisje. Këtë e shoh unë”.
Tutje, analisti Gashi vlerëson se problemi i tanishëm i Kosovës mbetet delegjitimi i draft-Asociacionit.
“Problemin që e ka Kosova tash është si ta delegjetimojë një njëfarë forme para ndërmjetësve këtë draft, i cili është draft shumë i rrezikshëm dhe si pikënisje e tillë, ky draft, zbute sa të duash, këtë nuk mund ta zbutësh dot…fatkeqësisht shihet se nuk është delegjetimuar nga ndërmjetësit”, thotë ai, gjersa thekson se ky draft ka kaluar marrëveshjet e vitit 2013.
Ishte kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili deklaroi të hënën se Kosova nuk ka cfarë të kërkojë në dialog me Serbinë, nëse zgjidhja apo marrëveshja potenciale nuk e ka bazë Kushtetutën e Kosovës.
Sipas tij, zgjidhja e vetme është nëse respektohet Kushtetuta, përndryshe Kosova nuk ka interesa ta vazhdojë dialogun me Serbinë.
Tutje, Konjufca tha se korniza aktuale e dialogut është trashëguar nga Qeveritë e kaluara të Kosovës, teksa e përmendi edhe ekipin menaxhues për Asociaiconin, të cilët, sipas tij, kanë vepruar në mënyrë antikushtetuese.