Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, i mbijetuar i Masakrës së Dubravës, ka kërkuar nga prokurori Special i Dhomave të Specializuara, Alex Whiting, që të hetojë këtë masakër.
Sipas tij, letra dërguar prokurorit është mjaft e argumentuar dhe se varet nga vullneti i prokurorit të njëjtë nëse do të nisin hetimet apo jo.
Dugolli ka thënë se këtë letër e ka nisur më 29 prill të këtij viti.
Ai ka thënë se ende zyrtarisht nuk ka pranuar asnjë përgjigje, ndonëse shpreson që e njëjta letër të analizohet nga prokurori.
“Më 29 prill e kam nisur zyrtarisht përmes postës kërkesën drejtuar prokurorit special dhe kam kërkuar që të fillojnë hetimet për masakrën e Dubravës me argumentim edhe juridik edhe faktike të masakrës të Dubravës, gjegjësisht planifikimit dhe ekzekutimit të asaj masakre. Në kompetencë lëndore, juridikisoni i jepet hapësirë mjaft prokurorit që të hetojë edhe krimet e kryera nga autoritetet serbe. Mos të harrojmë që Dick Marty në raportin e vet përmend edhe krimet e Serbisë që ka ushtruar mbi popullatën shqiptare, ku përmend edhe viktimat që janë shkaktuar, përmend edhe të zhdukurit”, tha ai shkruan TV Dukagjini
“Pikërisht kjo më shtyn të besoj që nëse prokurori ka vullnet do të aktivizohet për shkak se nuk ka pengesa për t’i hetuar këto krime. Tema qendrore e raportit të Martyt ka qenë trafikimi i organeve, ku nuk ka asnjë akuzë madje as nuk përmenden fare. Në këtë kontekst unë si viktimë edhe i mbijetuar e kam nisur këtë iniciativë. Varet nga vullneti i prokurorit a do të fillojë apo jo. Mendoj që është goxha shumë e argumentuar letra që i kam dërguar prokurorit dhe besoj se nëse ai ka vullnet, ajo do të përplotësohet për shkak se faktet janë fakte. Ajo që kemi përjetuar në këtë masakër është një horor i vërtetë”, ka thënë Dugolli.