Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur këtë të hënë Zëvendëspresidenten e Bankës Evropiane për Investime (EIB), Lilyana Pavlova, përcjell InLajmi
Krahas bashkëpunimit të deritanishëm dhe projekteve ekzistuese, në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin në të ardhmen, sidomos në fushat prioritare të Qeverisë, si ajo e energjisë, arsimit dhe shëndetësisë, në të cilat EIB mund të japë mbështetje përmes financimit.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për rolin dhe kontributin e Bankës Evropiane për Investime në zhvillimin e vendeve, duke e cilësuar atë si partnere të rëndësishme. Në 10 vitet e fundit, ky institucion financiar ka ofruar mbështetje me vlerë 241 milionë euro në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Përveç tjerash, në takim kryeministri gjithashtu foli edhe për Fondin Sovran, i cili u prezantua gjatë fundjavës që lamë pas. Me këtë rasti, Zëvendëspresidentja Pavlova shprehu gatishmërinë e EIB për të mbështetur Qeverinë në këtë nismë.
Ajo gjithashtu theksoi faktin dhe rëndësinë për ta që Kosova ka një qeveri të qëndrueshme, pozitën e mirë makrofinanciare të saj dhe politikat e duhura fiskale që ka ndërmarrë Qeveria.
Në takim bashkë me kryeministrin Kurti, të pranishëm ishin edhe Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi si dhe Shefja e Kabinetit të ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Anila Abazi. /InLajmi/