Kryeministri i vendit Albin Kurti, u është përgjigjur kritikave për shkarkimin e Ekipit Menaxhues për Asociacionin, duke thënë se ai ekip e ka përfunduar misionin dhe funksionin e tij, raporton InLajmi.
Sipas tij, lirimi nga detyra i këtij ekipi është gjëja më e natyrshme dhe më e logjikshme që është bërë.
“Ekipi menaxhues e ka përfunduar edhe misionin edhe funksionon e vet, andaj ne nuk kemi më arsye ta dëgjojmë ekipin menaxhues që çka pati për të thënë e tha në Bruksel më 2 maj. Edhe lirimi nga detyra është gjëja më e natyrshme dhe më e logjikshme”, ka thënë ai.
Kurti bëri të ditur se gjatë këtij muaji mund të zhvillohet edhe një takim me Serbinë për të diskutuar për hapat e tjerë të zbatimit të marrëveshjes.
“Hapat e radhës besoj se do të jetë një takim i yni me ndërmjetësit. Besoj se kjo do të ndodhë gjatë këtij muaji. Pas këtij takimi do të mund të shohim cilët do të jenë hapat tjerë përpara dhe këta hapa do të jenë vetëm për zbatimin dhe sekuencimin e zbatimit”, ka thënë ai. /InLajmi/