Në gjysmëfinale Trepça e mposhti Prishtinën me rezultat 35:31. Ndeshja u luajt në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, të shtunën mbrëma.
Skuadra mitrovicase prej fillimit ishte në epërsi. U shkëput në minutat e parë me seri prej 5:0.
Prishtina megjithatë nuk u dorëzua dhe u afrua në një gol në disa raste. Madje në minutën e 37-të rezultati u barazua në 17:17.
Por sërish mitrovicasit dolën para dhe më pas mbajtën epërsi prej 4-5 golash deri në fund.
Deniz Terziqi ishte më efikasi me 9 gola te Trepça. Pivoti Sali Maxhera, që u shpall më i miri, realizoi 6 gola. 7 i kishte Yassine Henahen e pesë Lulzim Shabani.
Te Prishtina më i miri ishte Oltion Beshiri. Ai shënoi 9-të gola. 6 i kishte Sergio Berreto e 5 Petrit Prekazi, shkruan Klan Kosova.
Të dielën prej orës 20:15 Trepça në finale takohet me Besa Famgas.