Në takimin me banorët e Matit, ku socialistët kërkojnë një mandatë të 2 për të drejtuar bashkinë me Agron Malaj, kryeministri Edi Rama ironizon deklaratat e kreut të demokratëve që e bën përgjegjës atë për shpalljen “non grata” nga SHBA-ja.
“Nuk mund të ketë dot një shqiptar me logjikë që ta hajë, që kjo ka ndodhur se e kam bërë unë, unë kam vënë në lëvizje gjithë Amerikën dhe e kam bërë Amerikën që të bëjë çfarë i them unë. Sikur ta kisha këtë fuqi nuk do vija këtu të kërkoja vota për Gonin”.
Por demokratët që ende, sipas tij, besojnë te Berisha ua kujton se çfarë kosto mund të ketë kjo për Shqipërinë në marrëdhënie me aleatët.
“Të thotë Amerika, “more zotëri është i padëshirueshëm ky për mua”- e ti thua, “jo s’ka rëndësi se unë jam këtu SHBA. Jemi qendër graviteti i vlerave demokratike, i vlerave të lirisë, i vlerave të një komuniteti ku ne bëjmë pjesë dhe nga i cili ne nuk mund të ndahemi dhe nga i cili, ne nuk mund të largohemi dhe me të cilin ne nuk mund të krijojmë një marrëdhënie dyshimi dhe nuk mund të na shikojnë si njerëz të prapambetur, si njerëz pa tru në kokë që ndërkohë që ata thonë “shqiptarë dhe shqiptare ne nuk e dëshirojmë këtë individ”, shqiptarët dhe shqiptaret vazhdojnë me të vetën dhe japin vota”, u shpreh Rama.
Sipas Ramës sa herë kanë qeverisur të djathtët kanë sjellë veç përçarje, shkruan tv Klan
“E kanë propaganduar demokracinë si monopolin e tyre, duke i parë gjithë të tjerët si armiq, duke i trajtuar socialistët si komunistë, bëhet armik dhe e sulmojnë. Kanë filluar tani me sulmin me ato këngëtaret që dalin mbështesin lali Erin”, shtoi ai.