Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për shkarkimin e Ekipit Menaxhues që hartoi statutin e Asociacionit, reagoi Drejtori i Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq duke theksuar se ky është veprim i njëanshëm dhe kundërligjor, transmeton InLajmi.
“As Kurti dhe as i ashtuquajturi ministër i tij për Vetëqeverisje Lokale nuk kanë të drejtë për një vendim të tillë, sepse mandati i Ekipit Menaxhues nuk përfundon me prezantimin e Projektstatutit të Asociacionit, por Ekipi Menaxhues ka një rol të rëndësishme në procesin e formimit të këtij organi”, thuhet deklaratën e Zyrës për Kosovë, kreu i së cilës është Petkoviq.
Tutje thuhet në deklaratë se vendimi i qeverisë Kurti është skandaloz që ndalon formimin e Asociacionit.
“Është e qartë se me këtë vendim skandaloz, Kurti e ndërpreu procesin e formimit të Asociacionit vetëm 10 orë pasi përfundimisht ishte inicuar zyrtarisht në dialog formimi pas 10 vitesh. Tash mendoj se është e qartë për të gjithë se Kurti nuk dëshiron të formojë Asociacionin dhe se dëshiron ta shmangë këtë detyrim në çdo mënyrë. Me lëvizje të tilla të sforcuara, Kurti tregon pa mëdyshje se nuk dëshiron as paqe e as dialog. Paligjshmëria e Albin Kurtit duhet të ndalet urgjentisht nga BE-ja, sepse heqja e Ekipit Menaxhues çon në shfuqizimin e Asociacionit dhe rrjedhimisht në shfuqizimin e procesit të dialogut”, tha ai. /InLajmi/