Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka bërë të ditur se ka liruar nga përgjegjësitë Ekipin Menaxhues për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ekip ky që kishte marrë detyrën në marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, përcjell InLajmi.
Krasniqi theksoi se këtë të mërkurë ka marrë vendim për lirimin nga detyra të anëtarëve të këtij ekipi menaxhues, në përbërje të Danijela Vujičić, Jelena Bolovic, Igor Kalamar dhe Dejan Radojković.
Ndryshe, kryeministri i vendit, Albin Kurti pas takimit në Bruksel ka njoftuar se Qeveria e Kosovës ka dhënë versionin e saj për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili përmban 10 pika.
Postimi i plotë i tij:
Pas prezantimit të djeshëm në Bruksel të draft statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas përgjegjësive që i ishin dhënë Ekipit Menaxhues në marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, ky ekip tash edhe vet është pa status.
Andaj, sot me datë 03 maj 2023, kam marr vendim për lirimin nga detyra të anëtarëve të këtij ekipi menaxhues, në përbërje të Danijela Vujičić, Jelena Bolovic, Igor Kalamar dhe Dejan Radojković. /InLajmi/