Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, duke folur për mbështetjen e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar se në këtë rast nuk është në Qeverinë e Kryeministrit Albin Kurti por me shtetin e Kosovës.
“Unë nuk jam me Qeverinë Kurti, as me kryeministrin Kurti, unë jam me Kosovën, dhe e shoh presionin nga aleatët tanë me e zgjidh këtë çështje (normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi), edhe unë mundohem me i ndihmu Kosovës me e zgjidh në interes të vetin. Ne mundemi me i ndihmu Kurtit me e thye qafën, me u zënë ngushtë për të dhënë dorëheqje ama jo Kosovës””, ka deklaruar ai.
Po ashtu, ai i ftuar në Debat Plus ka thënë se përkrahja e tij për marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është që të ndihmohet Kosova dhe jo Kurti.
“Mundohem ta ndihmojë Kosovën, jo Kurtin. Njëherë na e zuri rrugën Hashimi, e s’e shihnim Kosovën. I kemi pasojat po jetojmë me to. Ose Isa ose Ramushi, na e ka nxënë rrugën Ramushi e krejt zi, nuk bën kështu”, është shprehur Haradinaj.
Gjithashtu, Haradinaj, ka thënë se Kosova e ka marrë obligim formimin e Asociacionit dhe se tashmë është marrëveshje e obliguar ndërkombëtare.
Megjithatë, ai ka thënë se ai dhe partia e tij, nuk ka kontribuuar për këtë marrëveshje, përkundrazi ai i ka përmendur protestat që ka marrë pjesë kundër Asociacionit.
Tutje, ai ka thënë se kryeministri Kurti, i ka bërë disa gabime sa i përket komunave veriore dhe dialogut. Sipas tij, Kurti nuk e ka studiuar mirë qëndrimin e Kosovës sa i përket targave për veriun.
Haradinaj ka folur edhe për Komisionin Menaxhues për Asociacionin, i cili ka ka thënë se marrëveshja e vitit 2015, ka obliguar që ky komision të përbëhet nga persona të nacionalitetit serb.
“Nuk ka vendosur Qeveria Kurti, apo Haradinaj, që komisioni të përbëhet prej serbëve, ka vendos marrëveshja shumëpalëshe, Kosovë – Serbi, dhe ndërmjetësit e BE-së”, ka thënë ai, shkruan Dukagjini.
Ai është shprehur se ka qenë e pritshme që Asociacioni i propozuar nga ai komision, të mos pranohej nga Kosova.